KQZ paralajmëron shpallje më të hershme të rezultateve përfundimtare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit të votave po zhvillohet më shpejt se sa ishte planifikuar, çka mundëson që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shpallen para afatit të paraparë.
Sipas KQZ-së, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë drejt përfundimit, ndërsa ka nisur edhe numërimi i fletëvotimeve që i përkasin votimit jashtë vendvotimeve të rregullta. Në këtë proces përfshihen votat nga diaspora, votimi me kusht si dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se dinamika e punës ka tejkaluar planifikimet fillestare. Sipas tij, përfundimi i aktiviteteve në QKN, i paraparë deri më 7 janar, pritet të realizohet më herët, gjatë kësaj fundjave.
Po ashtu, Elezi ka theksuar se numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe votimi me postë, i planifikuar të fillojë më 7 janar, tashmë ka nisur para kohe, ndërsa edhe numërimi i votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta, i paraparë për 16 janar, mund të fillojë shumë më herët.
Si rrjedhojë e këtij progresi, KQZ vlerëson se rezultatet përfundimtare, të planifikuara të shpallen më së largu deri më 19 janar, mund të bëhen publike më herët.











