2025, vit i bllokadës institucionale në Kuvend: mungesë vendimmarrjeje, pasoja ekonomike dhe paga pa punë
Viti 2025 u shënua si një nga periudhat më të vështira për funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i karakterizuar nga bllokada e vazhdueshme politike, akuza të ndërsjella ndërmjet subjekteve politike dhe mungesë e theksuar e funksionalitetit institucional. Vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe dështimi për të formuar qeverinë e re pamundësuan ushtrimin e rolit kushtetues të deputetëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në paralizimin e institucioneve kyçe dhe në rritjen e pasigurisë politike e ekonomike në vend.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, Kuvendi nuk arriti të votojë disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë mbi 1 miliard euro, ndërsa dështoi edhe miratimi i buxhetit për vitin 2026, për shkak të mosformimit të qeverisë.
Pavarësisht mungesës së vendimmarrjes, deputetët e legjislaturës së nëntë u paguan nga buxheti i shtetit që nga betimi i tyre në prill 2025 e deri në shpërndarjen e Kuvendit më 20 nëntor. Po ashtu, 67 deputetë do të përfitojnë pagë kalimtare për një vit, ashtu siç parashihet me ligj.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi, vlerëson se legjislatura e nëntë ka dështuar ta përmbushë misionin kushtetues të përfaqësimit të qytetarëve, duke e cilësuar atë si një nga më të dobëtat dhe më të dëmshmet në historinë e vendit. Sipas tij, interesat partiake dhe personale u vendosën mbi interesin publik, ndërsa pagat e deputetëve, megjithëse të ligjshme, nuk u shoqëruan me punë konkrete.
Ndërkohë, Vullnet Bugaqku nga Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI) thekson se kriza politike ka sjellë dështim të mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit, agjencive dhe ndërmarrjeve publike. Ai përmend edhe ushtrimin e dyfishtë të funksioneve nga disa zyrtarë, të cilët vepruan njëkohësisht si ministra në detyrë dhe deputetë, duke krijuar vendimmarrje arbitrare. Sipas tij, mungesa e buxhetit dhe inflacioni i lartë rrezikojnë ta thellojnë krizën financiare, nëse institucionet nuk konstituohen pas zgjedhjeve.
Kolshi paralajmëron se moskonstituimi i Kuvendit ka bllokuar edhe funksionimin e institucioneve të pavarura që varen nga legjislativi, përfshirë RTK-në, Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave dhe Avokatin e Popullit, të cilat presin zgjedhjen e bordeve për të funksionalizuar punën e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, tentoi dy herë formimin e qeverisë me kandidatë për kryeministër Albin Kurtin dhe më pas Glauk Konjufcën, por në të dy rastet siguroi vetëm 56 vota, më pak se 61 sa kërkohen. Pas dështimit të dytë, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme për 28 dhjetor.











