AUV asgjëson 19,200 kilogramë mish pule të importuar nga Polonia
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka asgjësuar një sasi prej 19,200 kilogramësh mish pule të importuar nga Polonia, pasi gjatë kontrollit zyrtar është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Sipas AUV-së, rasti është identifikuar në një ngarkesë të importuar nga kompania APETIT Sh.p.k. nga Vushtrria, në kuadër të kontrollit zyrtar të realizuar nga inspektorët e agjencisë dhe me kërkesë të vetë kompanisë.
Menjëherë pas konstatimit, e gjithë sasia e mishit të pulës është asgjësuar, në përputhje të plotë me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës me vëmendje të shtuar, duke bashkëpunuar me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me operatorët ekonomikë që merren me importin e mishit, me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme.
“AUV mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, duke siguruar që produktet në treg të jenë në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në njoftim.











