#Lajme

Ambasada e SHBA-së përcjell urime për Vitin e Ri dhe thekson partneritetin me Kosovën

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar qytetarët për ndërrimin e viteve, duke riafirmuar miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Në mesazhin e urimit, Ambasada ka shprehur shpresën që viti i ardhshëm të sjellë paqe, zhvillim dhe mirëqenie, duke theksuar rëndësinë e vlerave dhe synimeve të përbashkëta. “Urojmë që viti që vjen të jetë i mbushur me paqe, prosperitet dhe progres të përbashkët. Gëzuar Vitin e Ri nga e gjithë stafi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë”, thuhet në urimin zyrtar.

Përmes një video-mesazhi të publikuar nga stafi diplomatik, Ambasada ka vënë në pah bashkëpunimin e zhvilluar gjatë vitit që po përfundon, me fokus të veçantë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimin e sektorit privat në Kosovë. Po ashtu, është theksuar edhe kontributi i kompanive amerikane që kanë investuar në vend, duke ndikuar në rritjen ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja.