#Lajme

Aktakuzë për mashtrim dhe falsifikim, dëmi mbi 3.6 milionë euro

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të pandehurit – zyrtarë publikë dhe kompani private – dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë manipuluar dokumentacionin dhe kanë mashtruar gjatë procedurave të tenderimit publik, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm financiar.

Prokuroria thekson se dy zyrtarë të MASHT-it, gjatë periudhës prill 2019 – mars 2021, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në një procedurë tenderimi për blerjen e pajisjeve shkollore, të cilat favorizonin një operator ekonomik dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë. Si pasojë, buxheti i shtetit dyshohet se është dëmtuar për rreth 1.8 milionë euro.

Po ashtu, në një periudhë tjetër nga tetori 2020 deri në nëntor 2023, disa prej të pandehurve, në cilësinë e zyrtarëve të MASHT-it, dyshohet se kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900 për qind më të larta se vlera e tregut, duke i shkaktuar shtetit dëm shtesë prej mbi 2.1 milionë euro.

Në aktakuzë thuhet gjithashtu se janë lejuar furnizime që nuk përputheshin me kushtet e kontratës, pasi produktet janë pranuar me origjinë nga Kina dhe Turqia, ndonëse kontrata parashihte origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Si rezultat i këtyre veprimeve, Prokuroria vlerëson se dëmi i përgjithshëm i shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në mbi 3.6 milionë euro.