BBC: Kurti drejt mandatit të tretë pas fitores bindëse të Vetëvendosjes
Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke i hapur rrugën Albin Kurtit për një mandat të tretë qeverisës, raportoi BBC bazuar në rezultatet paraprake.
Me rreth 90 për qind të votave të numëruara, Vetëvendosje ka siguruar 50.8 për qind të votave. Pas saj janë renditur dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës me 20.98 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.89 për qind.
Vetëvendosje kishte dalë fituese edhe në zgjedhjet e mbajtura në shkurt, por pa arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, çka rezultoi me një ngërç institucional që zgjati për disa muaj. Pikërisht ky bllokim institucional ishte çështja kryesore e këtyre zgjedhjeve të dyta brenda vitit, duke ngritur dilema nëse votuesit do ta ndëshkonin Kurtin apo partitë opozitare që refuzuan bashkëqeverisjen. Rezultati, sipas BBC-së, duket se ka dhënë një përgjigje të qartë.
Megjithëse Vetëvendosje pritet të mos ketë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, Kurti parashikohet të sigurojë mbështetjen e partive të pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 ulëset në Kuvend.
Kjo shënon fitoren e katërt radhazi të Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare dhe shihet si një konfirmim politik pas dështimit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Kurti e cilësoi rezultatin si “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe shprehu shpresën se opozita do të tregojë gatishmëri për bashkëpunim.
Një sinjal i tillë erdhi edhe nga LDK-ja, ku deputeti Arben Gashi deklaroi se “kur votuesit flasin, rezultati nuk mund të injorohet”, duke bërë thirrje për reflektim dhe përgjegjësi politike.
BBC thekson se mungesa e një qeverie funksionale i ka kushtuar Kosovës qindra milionë euro fonde të humbura nga Bashkimi Evropian. Kurti ka përmendur gjithashtu mundësinë e marrëveshjeve me Bankën Botërore, të cilat do të sillnin investime mbi një miliard euro.
Sfida tjetër për qeverinë e ardhshme mbetet përmirësimi i marrëdhënieve me aleatët kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-në. Politikat e Kurtit ndaj institucioneve që shërbejnë komunitetin serb, veçanërisht në veri të vendit, kanë shkaktuar tensione. Edhe pse BE-ja ka rënë dakord të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, pritet që Brukseli të kërkojë një qasje më pragmatike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.











