Aktakuzë ndaj doganierit në Vërmicë, kaloi kamionin pa e kontrolluar
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj doganierit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17, në pikën kufitare të Vërmicës, I.K., në cilësinë e zyrtarit të Doganës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial të tipit “Mercedes Sprinter”, të drejtuar nga A.K., i regjistruar në sistem si i zbrazët.
Pas kalimit të pikës kufitare, automjeti u ndalua nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit u konstatua se ishte i ngarkuar me mallra komerciale me vlerë 11,457.60 euro. Ekspertiza financiare ka treguar se veprimi i doganierit i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm material prej 3,414.36 euro.
Prokurori ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, përveç dënimit kryesor duke i shqiptuar edhe dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën ose shërbimin publik.











