Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Votimi në 16 ambasada dhe 13 konsullata
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të organizojë për herë të dytë votimin fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin që mbahen më 28 dhjetor.
Sipas KQZ-së, votimi jashtë vendit do të zhvillohet më 27 dhjetor në 29 përfaqësi diplomatike, përkatësisht në 16 ambasada dhe 13 konsullata, të shpërndara në 18 shtete të botës. Në këtë proces pritet të votojnë mbi 19 mijë shtetas të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se votimi do të nisë në konsullatën e Kosovës në Stamboll dhe do të përfundojë në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada.
KQZ ka sqaruar se, pas vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, numri i përfaqësive ku zhvillohet votimi është reduktuar, ndërsa votuesit në përfaqësitë e përjashtuara janë udhëzuar të votojnë përmes postës.











