Ymeri: 2025 u shënua nga mungesa e planifikimit dhe importi rekord i energjisë
Ekspertja e energjisë, Janina Ymeri, ka deklaruar se viti 2025 është karakterizuar nga mungesë serioze planifikimi në sektorin e energjisë elektrike, duke çuar Kosovën në importin më të lartë ndonjëherë, rreth 247 milionë euro, pa përfshirë muajin dhjetor.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ajo tha se rritja e shpenzimeve ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së sasisë së importuar dhe jo të çmimit bazë. Sipas saj, mungesa e planit energjetik për vitin 2025 dhe vonesat në përgatitjen e atij për 2026 kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë.
Ymeri theksoi se përgjegjësia bie mbi ZRRE-në, Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë, ndërsa pasojat më të mëdha po i bartin ekonomitë familjare, të cilat përbëjnë rreth 50 për qind të konsumit.
Ajo shtoi se, ndonëse Kosova nuk ka tarifat më të larta të energjisë në Evropë, standardi i ulët jetësor dhe destabiliteti energjetik e bëjnë situatën të padrejtë për qytetarët, duke kërkuar planifikim, transparencë dhe investime në prodhim dhe burime të ripërtërishme.











