Kica-Xhelili flet për mundësinë e koalicionit LDK–LVV dhe kritikon qeverisjen Kurti
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Kica-Xhelili u ndal edhe te mundësia e një koalicioni qeverisës mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo theksoi se LDK-ja nuk do të lejojë që vendi të mbetet pa qeveri dhe se partia synon të jetë pjesë e ekzekutivit për të përmbyllur procese të rëndësishme shtetërore.
“LDK-ja po garon për ta udhëhequr qeverinë, por mbi të gjitha ka vendosur që të jetë pjesë e qeverisjes, pasi ka procese që duhet të mbyllen me përgjegjësi”, deklaroi ajo.
Megjithatë, Kica-Xhelili vuri në dukje se mes LDK-së dhe LVV-së ekziston një hendek i madh politik. Sipas saj, dallimet nuk lidhen vetëm me gjuhën politike, por edhe me çështje thelbësore shtetërore, të cilat, siç tha ajo, duhet të përcaktohen qartë si prioritete.
Në fund, kandidatja e LDK-së sqaroi edhe disa nga prioritetet kryesore të partisë së saj në rast të përfshirjes në qeverisje.











