Albanese paralajmëron shtrëngim të ligjeve për armët pas sulmit në Bondi Beach
Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka deklaruar se qeveria e tij po shqyrton miratimin e ligjeve më të ashpra për armët, pas sulmit të armatosur të ndodhur në Bondi Beach të Sidneit.
Duke folur për Sky News, Albanese tha se ekzekutivi është i gatshëm të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të rritur sigurinë publike, përfshirë edhe forcimin e legjislacionit për armëmbajtjen. Sipas tij, masat e reja mund të përfshijnë kufizime në numrin e armëve që një individ mund të licencojë, kontrolle më të rrepta dhe rishikim periodik të licencave ekzistuese.
“Veprimet e nevojshme do të paraqiten në mbledhjen e ardhshme të kabinetit, e cila do të mbahet në orën 16:00 sipas kohës lokale”, ka bërë të ditur kryeministri, duke theksuar se është i hapur për shtrëngimin e mëtejshëm të ligjeve aktuale, nëse kjo vlerësohet e domosdoshme.
Albanese nënvizoi se rrethanat personale të individëve mund të ndryshojnë me kalimin e kohës dhe se ekziston rreziku i radikalizimit, prandaj licencat për armë nuk duhet të jenë të përhershme.
Ndërkohë, bilanci i viktimave nga sulmi me armë zjarri në plazhin Bondi ka arritur në 16 të vdekur, ndërsa rreth 40 persona të tjerë po trajtohen në spital, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Sulmi ndodhi gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre, ku qindra qytetarë ishin mbledhur për të shënuar ditën e parë të festës së Hanukës.











