#Lajme

Aplikimi i Kosovës për BE mbetet i paekzaminuar edhe pas tre vjetësh

Kanë kaluar tre vjet që nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por Këshilli i BE-së ende nuk e ka shqyrtuar kërkesën e saj, duke e lënë procesin të bllokuar në fazën fillestare.

Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim më 15 dhjetor 2022, mirëpo deri më tani shtetet anëtare të BE-së nuk kanë arritur konsensus për ta dërguar atë në Komisionin Evropian, i cili do të duhej të vlerësonte përmbushjen e kritereve për hapjen zyrtare të negociatave. Autoritetet kosovare vazhdimisht kanë deklaruar se vendi ka përmbushur reformat e nevojshme për të pranuar pyetësorin e Komisionit Evropian, por disa shtete anëtare vazhdojnë ta kushtëzojnë avancimin e aplikimit me progresin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë kësaj periudhe, presidenca e Këshillit të BE-së është mbajtur nga Çekia, Suedia, Spanja, Belgjika, Hungaria, Polonia dhe Danimarka. Ndonëse Çekia e ka pranuar zyrtarisht aplikimin, asnjë nga presidencat pasuese nuk e ka vënë në shqyrtim dosjen e Kosovës. Nga 1 janari 2026, presidencën e Këshillit do ta marrë Qiproja, një nga pesë shtetet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, çka pritet të paraqesë vështirësi shtesë për avancimin e procesit.

Bashkimi Evropian vazhdon t’i sigurojë vendet e Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre është brenda BE-së, por me kushtin e zgjidhjes së çështjeve të hapura, në veçanti dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për të nxitur reformat, BE-ja ka ndarë vazhdimisht fonde për rajonin, përfshirë edhe paketën e fundit të rritjes prej 6 miliardë eurosh.

Aktualisht, në procesin e zgjerimit të BE-së ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa këtë status, ndërkohë që sanksionet e vendosura nga BE-ja në vitin 2023 vazhdojnë të jenë në fuqi, duke e vështirësuar më tej rrugën drejt integrimit evropian.

Sipas Adnan Çerimagiç nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI), Kosova, së bashku me Serbinë dhe Turqinë, është ndër vendet që nuk kanë shënuar asnjë hap formal në procesin e anëtarësimit që nga nxitja e zgjerimit në vitin 2022. Megjithatë, ai thekson se Kosova ka përmirësuar nivelin e përgatitjes për anëtarësim në 8 nga 31 fushat e politikave të vlerësuara nga Komisioni Evropian, duke lënë pas disa vende të rajonit dhe më gjerë, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Turqinë dhe Moldavinë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *