#Lajme

KQZ nis dërgimin e pakove zgjedhore për votuesit e diasporës që votojnë me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shpërndarjen e pakove zgjedhore me fletëvotime për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas KQZ-së, rreth 58 mijë votues të regjistruar do t’i pranojnë pakot me fletëvotime në adresat e tyre, ndërsa 19,257 votues të tjerë, të regjistruar për votim fizik jashtë Kosovës, do të ushtrojnë të drejtën e votës më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fletëvotimet janë prodhuar në Slloveni dhe kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor. Pas përfundimit të përgatitjeve, pakot individuale janë bërë gati për dërgim përmes shërbimeve postare ndërkombëtare. Çdo pako është e pajisur me numër gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve për të ndjekur dërgesën.

KQZ ka njoftuar se procesi i dërgimit të pakove do të përmbyllet gjatë javës në vijim, ndërsa afati për votimin përmes postës është deri më 27 dhjetor 2025. Votuesit ftohen që fletëvotimet t’i dërgojnë sa më herët, në mënyrë që ato të mbërrijnë me kohë për procesin e numërimit.

Për të lehtësuar votimin nga diaspora, KQZ ka vendosur kuti postare në 23 shtete të ndryshme, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Italinë, Francën, Turqinë dhe vende të tjera ku jeton një numër i madh i qytetarëve të Kosovës.