Haradinaj për 7-vjetorin e Ushtrisë së Kosovës: Vendim historik i marrë me mbështetjen e SHBA-së
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 7-vjetorin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si vendimin më të rëndësishëm të Qeverisë që ai drejtoi.
Haradinaj ka theksuar se themelimi i Ushtrisë së Kosovës u bë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqëson një akt historik për vendin. Sipas tij, Ushtria e Kosovës ka lindur nga sakrifica dhe gjaku i derdhur për liri, duke u shndërruar në garantuese të sovranitetit dhe sigurisë së shtetit.
Ai ka vlerësuar se krijimi i Ushtrisë shënoi një moment kyç në forcimin e Kosovës si shtet, duke e konsideruar atë një arritje madhore për institucionet dhe qytetarët e vendit.











