#Botë

Erdogan optimist pas takimit me Putinin: Paqja mes Rusisë dhe Ukrainës po afrohet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur optimizëm për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës pas takimit që zhvilloi me presidentin rus, Vladimir Putin, në Turkmenistan. Ai deklaroi se paqja nuk është larg dhe se ekziston një perspektivë reale për zgjidhje.

Erdogan bëri të ditur se synon ta diskutojë planin e paqes edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ai theksoi rëndësinë e një armëpushimi të kufizuar, veçanërisht për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike dhe porteve, duke nënvizuar se Deti i Zi nuk duhet të shndërrohet në fushë beteje. Sipas tij, siguria e rrugëve detare është thelbësore, sidomos në rrethanat kur raportimet flasin për sulme ruse ndaj porteve ukrainase që kanë dëmtuar edhe anije në pronësi turke, përfshirë një që transportonte ushqime.