Nis dëshmia e radhës në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur dëshminë dëshmitari i radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Të hënën, para trupit gjykues po dëshmon Edmond Nulleshi, këshilltar i drejtorit ekzekutiv të shërbimeve të KEK-ut, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca është duke vazhduar me pyetjet e prokurorit special Dren Paca, ndërsa më pas pritet të parashtrojnë pyetje edhe palët tjera.
Krasniqi është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të 8 tetorit 2024, si dhe sërish në seancën e 3 korrikut 2025.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale, e ngritur më 19 gusht 2024, e ngarkon atë me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas saj, Krasniqi dyshohet se nga tetori 2021 e tutje ka mundësuar që operatori ekonomik slloven “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) të tregtojë energji elektrike në Kosovë pa qenë i licencuar nga ZRrE, duke nënshkruar dhe aprovuar kontrata në kundërshtim me legjislacionin për energjinë.
Prokuroria pretendon se këtij operatori i është mundësuar përfitim pasuror dhe shmangie tatimore, duke shkaktuar dëm të madh në buxhetin e Kosovës në vlerë prej 531,920.79 eurosh, si dhe dëm material ndaj KEK-ut në shumën 3,229,905 euro. Po ashtu thuhet se operatorët tjerë të licencuar janë dëmtuar dhe diskriminuar.
Në dosje theksohet se ZRrE kishte paralajmëruar disa herë KEK-un që të ndërpriste tregtimin me operatorë të palicencuar, ndërsa monitorimi i 19 gushtit 2022 kishte konfirmuar se KEK kishte vazhduar veprimtarinë në kundërshtim me ligjin.
Edhe grupi punues brenda KEK-ut kishte rekomanduar respektimin e vendimeve të ZRrE-së, por sipas Prokurorisë, qëndrimi i tyre nuk ishte përcjellë në formë të plotë – në vend të tij ishte dërguar qëndrimi personal i Krasniqit.
Në aktakuzë përmenden edhe komunikime të brendshme përmes e-mailit, ku pas konfirmimit nga Krasniqi për vazhdimin e tregtimit me HSE, disa punonjës janë shprehur me komente tallëse. Ndërkohë, thuhet se operatori slloven nuk ishte as i licencuar e as i regjistruar në ARBK.
Më tej, aktakuza sqaron se pas arrestimit të Krasniqit për një rast tjetër, KEK kishte pezulluar e më pas ndërprerë kontratën me HSE në maj dhe gusht 2023, për shkak të mungesës së licencës.
Përveç kësaj, ndaj Krasniqit Prokuroria Speciale ka ngritur edhe një aktakuzë tjetër më 30 dhjetor 2024, po ashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëshmitarë të tjerë në seancat e ardhshme.











