#Lajme

Sot hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot (e diel), në ora 14:00, ceremoninë e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor.

Fillimisht, ky aktivitet ishte paraparë të zhvillohej më 8 dhjetor, por KQZ ka vendosur që data të ndryshohet dhe ceremonia të mbahet një ditë më herët, më 7 dhjetor 2025. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një përgjigjeje me shkrim për RTKLive.

Sipas Elezit, ky ndryshim është bërë me qëllim që të mundësohet miratimi më i hershëm i dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit, si dhe të nisë me kohë procesi i shtypjes së tyre. Po ashtu, vendimi krijon hapësirë shtesë për përgatitjet rreth votimit me postë për qytetarët jashtë Kosovës që kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi.

KQZ njofton se në ceremoninë e sotme janë ftuar përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhje.