Hoti: Jeta është shtrenjtuar rreth 60 për qind, 28 dhjetori mundësi për ndryshim
Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, duke vlerësuar se pesë vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes dhe përplasjeve. Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka theksuar se shumë projekte të nisura nga qeveritë e mëhershme ende nuk janë përfunduar, ndërsa qindra miliona euro janë shpenzuar për tenderë njëburimorë. Sipas tij, kostoja e jetesës është rritur me rreth 60 për qind, ndërsa mungesa e sigurimeve shëndetësore po ua vështirëson jetën mijëra familjeve.
Hoti ka përmendur edhe ngecjen e prodhimit vendor, rritjen e importit, emigrimin e të rinjve profesionistë dhe, sipas tij, presionin ndaj mediave, sindikatave dhe bizneseve. Ai ka theksuar se më 28 dhjetor qytetarët kanë mundësinë për të ndalur, sipas tij, dështimet, për të rikthyer besimin në institucione dhe për t’i dhënë Kosovës drejtim të qartë demokratik, zhvillimor dhe euroatlantik.











