Kurti hesht pas kritika të SHBA-së për mos-certifikimin e Listës Serbe
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje pas vendimit për mos-certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kurti ishte i pranishëm në konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë, të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, por nuk foli kur gazetarët e pyetën për këtë çështje. Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë reagoi duke e cilësuar këtë veprim të VV-së si “shkurtpamës dhe përçarës”, duke theksuar se cenon stabilitetin e Kosovës dhe interesat amerikane, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik për bizneset kosovare dhe amerikane.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, gjithashtu kërkoi që procesi zgjedhor të mbetet i lirë nga manovrimet politike. Dje, gjatë votimit të ndarë të anëtarëve të KQZ-së, Lista Serbe nuk u certifikua, duke marrë 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.











