#Lajme

Dëshmitari i 62-të në Hagë: “Më vjen keq që Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë aty – nuk kam asgjë me ta”

Dëshmitari i 62-të i Prokurorisë, i cili dha dëshminë me masa mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka deklaruar në Hagë se ndihet keq që të katër të akuzuarit ndodhen aty dhe se nuk ka asgjë personale kundër tyre.

Ai tha se nuk kishte kontakte personale me asnjërin prej tyre dhe se respektonte figurat e përmendura, ndërsa pjesë e dëshmisë u publikua me disa redaktime për arsye sigurie. Dëshmitari theksoi se Krasniqin e njihte vetëm si zëdhënës të UÇK-së, por nuk e kishte takuar gjatë luftës.

Gjatë seancës, dëshmitari përshkroi kohën e tij në paraburgim, duke thënë se ishte mbajtur në një dhomë të shtruar me beton, ku kishte qëndruar për rreth tri javë. Ai mohoi të kishte qenë i trajtuar si i dyshuar për bashkëpunim me armikun dhe pohoi se kishte qenë pjesë e UÇK-së për më shumë se një vit, duke u bashkuar sërish me organizatën pas lirimit.

Dëshmitari mohoi ekzistencën e Policisë Ushtarake në zonën e tij dhe sqaroi se UÇK-ja ishte një ushtri vullnetare, ku çdo pjesëtar mund të bashkohej ose largohej sipas dëshirës. Ai theksoi se dezertimi ishte i ndaluar, por askush nuk mund të detyrohej të qëndronte. Ai gjithashtu konfirmoi se krime si vjedhja, plaçkitja apo sulmet ndaj civilëve ishin të ndaluara.

Në përfundim, dëshmitari tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte dhënë urdhër për ndalimin e tij dhe se akuzat për Policinë Ushtarake janë shpifje. Ai përfundoi dëshminë duke u shprehur falënderues për trupin gjykues dhe duke uruar çlirimtarëve lirim sa më të shpejtë.

Procesi gjyqësor në Hagë ka përfshirë dëshmitë e ish-diplomatëve dhe këshilltarëve ndërkombëtarë, ndërsa aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit u konfirmua më 26 tetor 2020.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *