Takimi Putin–Witkoff ndez përpjekjet diplomatike për paqen në Ukrainë
Diplomacia për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po intensifikohet, teksa i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, pritet të takohet këtë pasdite me Presidentin rus Vladimir Putin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se takimi do të zhvillohet “në gjysmën e dytë të ditës”, duke refuzuar të zbulojë vijat e kuqe të Rusisë dhe duke theksuar se “diplomacia me megafon” nuk sjell rezultat.
Vizita e Witkoff vjen pas bisedimeve që ai zhvilloi në Florida me një delegacion ukrainas. Shtëpia e Bardhë është shprehur optimiste për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, me sekretaren e shtypit Caroline Levitt që deklaroi se administrata “ndihet shumë optimiste”.
Megjithatë, kjo qasje ka ngjallur ankth tek aleatët europianë të Kievit, të cilët frikësohen se plani amerikan mund të përputhet tepër me kërkesat e Moskës. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kallas, paralajmëroi se takimi Putin–Witkoff mund të ushtrojë presion ndaj Ukrainës për të bërë lëshime të rrezikshme.
Në udhëtim ndodhet edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, por Kremlini nuk ka konfirmuar nëse ai do të marrë pjesë në takimin me Putinin.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia nuk duhet të përfitojë nga agresioni i saj. “Duhet të sigurohemi që Rusia të mos e perceptojë asgjë si shpërblim për këtë luftë,” deklaroi ai në një konferencë të përbashkët me Presidentin francez Emmanuel Macron.
Zelensky zhvilloi gjithashtu biseda telefonike me disa liderë europianë, përfshirë Kryeministrin britanik Keir Starmer dhe Kancelarin gjerman Friedrich Merz, në përpjekje për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare. “Paqja duhet të jetë e qëndrueshme dhe lufta të përfundojë sa më shpejt posible,” shkroi ai në rrjetet sociale.











