#Botë

Eksperti amerikan: Serbia, pika kyçe e ndikimit rus në Ballkan – afrimi me NATO-n do të godiste Moskën

Eksperti i sigurisë dhe ligjëruesi në Universitetin Johns Hopkins, Edward P. Joseph, ka deklaruar se Serbia shërben si “anija luftarake” e Rusisë në Ballkan dhe se çdo afrimitet i saj me NATO-n do të ishte goditje strategjike për Moskën dhe Pekinin. Në një intervistë për REL, ai tha se anëtarësimi eventual i Serbisë në NATO do të kishte efekt të krahasueshëm me “fundosjen” e ndikimit rus në rajon.

Joseph vlerëson se një ofertë amerikane – sidomos nga Donald Trump – do ta vinte presidentin Aleksandar Vuçiq në pozitë të vështirë për ta refuzuar, për shkak të popullaritetit të madh që Trump gëzon në Serbi dhe situatës së brishtë politike në vend. Ai theksoi se ndryshimi i kursit drejt NATO-s do të zhvendoste fokusin nga protestat e brendshme drejt një zhvillimi historik.

Eksperti nënvizoi se Serbia është e rrethuar nga vende të NATO-s dhe se bashkëpunimi i saj ushtarak me aleancën është i konsoliduar, ndërsa shumë zyrtarë të lartë ushtarakë, sipas tij, privatisht do ta mbështesnin anëtarësimin.

Në lidhje me Kosovën, Joseph parashikon se Greqia mund ta njohë shtetësinë e saj pas finalizimit të statutit të Asociacionit, duke hapur rrugë për një ndryshim qëndrimi edhe te Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Sipas tij, Ballkani mund të përjetojë ndryshime të mëdha brenda tre viteve të ardhshme, me më pak tensione dhe më shumë bashkëpunim.