#Lajme

Mbi 14 mijë aplikime të aprovuara për votim jashtë vendit, KQZ jep detajet e procesit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga 26 deri më 30 nëntor, përmes platformës elektronike janë pranuar rreth 24,500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës. Nga to, më shumë se 14,600 janë aprovuar, rreth 3,500 janë refuzuar, ndërsa mbi 6,400 aplikime janë ende në proces vlerësimi.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shumica e aplikuesve të aprovuar – mbi 10,500 – janë regjistruar për të votuar përmes postës, duke dërguar fletëvotimin në adresa të postave jashtë vendit. Mbi 500 të tjerë do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa më shumë se 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

Elezi theksoi se procesi i regjistrimit nuk është përjashtues, dhe se aplikuesit e refuzuar njoftohen individualisht për arsyet e refuzimit, duke pasur mundësi të ri-aplikojnë gjatë periudhës së vlefshme të regjistrimit nëse plotësojnë dokumentacionin e kërkuar.

Afati për regjistrimin e votuesve jashtë vendit përfundon më 6 dhjetor.