Abdixhiku: Kosova e lodhur nga krizat politike, LDK gati për garën elektorale
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm deklaroi se vendi po përballet me lodhje të thellë politike si pasojë e krizave të zgjatura dhe përplasjeve të panevojshme.
Ai theksoi se LDK po hyn në ciklin e ri zgjedhor me qasje të pjekur e të qëndrueshme, duke nënvizuar se partia që drejton nuk funksionon mbi improvizime, por mbi maturi dhe përgjegjësi shtetërore.
Sipas tij, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një forcë që vendos stabilitetin dhe interesin e shtetit mbi interesat personale. Abdixhiku rikujtoi rolin historik të LDK-së në momente kyçe për vendin, duke e cilësuar atë si forcë të qetësisë, arsyes dhe shtetformimit.
Ai shtoi se LDK vazhdon të jetë subjekti që bashkon qytetarët rreth vlerave dhe vizionit për të ardhmen, e jo rreth frikës apo konflikteve partiake.
Në përmbyllje, Abdixhiku tha se partia e tij është e gatshme të marrë përgjegjësinë e qeverisjes, duke ofruar një drejtim të dinjitetshëm dhe synim për të korrigjuar dëmet që, sipas tij, i janë shkaktuar vendit.











