#Lajme

Një vajzë e mitur ka mbetur e plagosur mbrëmë në Vushtrri, pasi një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të axhës së saj dhe familjarëve të tjerë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ankuesi ka deklaruar se i dyshuari ka qëlluar dy herë drejt familjes së tij, moment në të cilin është plagosur në krah vajza e vëllait të tij. E mitura është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është në arrati, ndërsa policia ka nisur kërkimet. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë të tipit “pushkë 10-she” si dhe 14 fishekë. Rasti po hetohet nga njësitë kompetente.