Vushtrria nis fushatën kundër braktisjes së shkollimit
Në kuadër të Javës kundër Braktisjes së Shkollimit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Vushtrri ka zhvilluar një tryezë me nxënës të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vijimit të rregullt të mësimit dhe parandalimit të braktisjes së shkollës.
Në aktivitet morën pjesë kryetari i komunës, Ferit Idrizi, dhe drejtori i Arsimit, Albanez Tahiraj. Ata theksuan se arsimi është një e drejtë bazë për çdo fëmijë dhe se shkolla përbën një ambient sigurie, zhvillimi dhe mundësish të barabarta.
Kryetari Idrizi apeloi për angazhim të përbashkët të institucioneve, prindërve dhe komunitetit, duke theksuar nevojën për qasje të koordinuar për të mbështetur çdo fëmijë që rrezikon të largohet nga procesi mësimor.
Ndërkohë, drejtori Tahiraj vlerësoi se aktivitetet sensibilizuese janë të domosdoshme për t’u treguar nxënësve pasojat që braktisja e shkollimit mund të ketë në të ardhmen e tyre.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e ndërhyrjeve të hershme dhe bashkëpunimit me shkollat, duke përsëritur mesazhin qendror të fushatës: “Asnjë fëmijë jashtë shkollës, asnjë braktisje”.











