Arrestimi i Avni Qenajt në Serbi: Çfarë dihet deri tani
Autoritetet serbe kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj nga Romaja e Prizrenit, vetëm pak ditë pas lirimit të Arbnor Spahiut. Lajmi është konfirmuar nga MPJD-ja dhe OVL-UÇK-ja.
MPJD njoftoi se Zyra Ndërlidhëse në Serbi ka kërkuar informacion zyrtar për arsyet e arrestimit, vendin e mbajtjes dhe statusin e tij, ndërsa janë informuar edhe BE-ja dhe vendet e QUINT-it për mbikëqyrje ndërkombëtare. Sapo të konfirmohet lokacioni, do të kërkohet vizitë.
Sipas OVL-UÇK-së, Qenaj – pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani” – është ndaluar gjatë hyrjes në Serbi, me dyshimin se autoritetet i kanë gjetur kartelën e veteranit. Ai kishte kaluar më herët nëpër Serbi pa probleme.
Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë sërish thirrje qytetarëve të shmangin transitin nëpër Serbi për shkak të rrezikut të ndalimeve të ngjashme. Avokati Arianit Koci reagoi duke kërkuar masa konkrete shtetërore që të shoqërojnë paralajmërimet, në mënyrë që të mos krijohet frikë dhe pasiguri.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Serbisë e dyshon Qenajn për “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”, duke njoftuar se atij i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh dhe se do t’i dorëzohet kallëzim penal në prokurori.











