#Lajme

Kapet sasi mallrash të padeklaruara me vlerë mbi 10 mijë euro në pikën kufitare Merdarë

Zyrtarët doganorë në Merdarë kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara në një automjet me targa të huaja, gjatë kontrollit të kryer mbrëmjen e së hënës.

Sipas Doganës së Kosovës, rreth orës 22:00, shoferi kishte deklaruar fillimisht se nuk transportonte mallra për t’u doganuar, por pas një kontrolli të detajuar në vijën e dytë, i kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dyshimet janë ngritur mbi tri valixhe të kamufluara me veshje të përdorura.

Pas hapjes së tyre dhe verifikimit përmes skanerit, është konstatuar se brenda valixheve ndodheshin pajisje për ujësjellës dhe për sistemet e ngrohjes qendrore, të cilat nuk ishin deklaruar fare.

Doganat kanë bërë të ditur se vlera e mallrave të gjetura dyshohet të jetë mbi 10 mijë euro. Mallrat janë ndaluar përkohësisht, ndërsa autoritetet po vijojnë procedurat e mëtejshme ligjore.