Privatësia dhe mediat në Kosovë: përplasja mes interesit publik dhe kërkesës për klikime
Në një kohë kur portalet garojnë për publikim sa më të shpejtë, çështja e privatësisë po bëhet një nga sfidat qendrore të gazetarisë në Kosovë. Ndërsa mediat profesionale respektojnë kodin etik dhe shmangin shkeljet e privatësisë edhe në rastet më të ndjeshme – si aksidentet, vrasjet apo vetëvrasjet – rreziku shfaqet tek praktikat që prioritizojnë klikimet para standardeve.
Normalizimi i këtyre shkeljeve, sipas vlerësimeve të profesionistëve të fushës, dëmton jo vetëm individët, por minon edhe besimin e publikut, integritetin dhe pavarësinë e vetë mediave.
Në një realitet ku lajmet qarkullojnë çdo sekondë dhe secili qytetar mund të shndërrohet në subjekt publik përmes një postimi, sfida e ruajtjes së privatësisë po bëhet gjithnjë e më e theksuar. Edhe pse liria e shprehjes është një prej arritjeve më të çmuara pas luftës, në shumë raste respektimi i privatësisë ende nuk trajtohet si standard profesional.
Roli i mediave mbetet thelbësor: ato jo vetëm informojnë, por edhe përpunojnë të dhëna personale dhe mbajnë përgjegjësi për çdo publikim që përfshin emra, imazhe apo detaje identifikuese. Kodi i Etikës i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës është i qartë në këtë drejtim, duke kërkuar respektim strikt të të drejtave të individit dhe mbrojtjes së privatësisë.
Debati mbi kufirin mes interesit publik dhe sensacionalizmit mbetet aktual, duke e vendosur fokusin tek përgjegjësia profesionale e mediave në epokën e informacionit të menjëhershëm.










