#Lajme

Sot vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt – familja kërkon drejtësi të plotë

Më 29 nëntor mbushen dy vite nga vrasja e rëndë e Liridona Ademajt, ngjarje që kishte tronditur mbarë vendin. Viktima ishte vrarë mizorisht në prani të familjarëve, ndërsa për këtë rast po gjykohet Naim Murseli, i dyshuari kryesor.

Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet sot, ka bërë të ditur vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai është shprehur se javët e përvjetorit janë tepër të rënda për familjen, duke theksuar rëndësinë që procesi gjyqësor të zhvillohet me profesionalizëm dhe pa gabime.

“Java që po vjen është e vështirë për ne, pasi më 29 nëntor bëhen dy vite nga vrasja e Liridones sonë. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndjejmë. Vetëm drejtësia e shpejtë, profesionale dhe pa gabime mund të na lehtësojë dhimbjen e rëndë që po e përjetojnë fëmijët e saj dhe ne”, ka shkruar ai.

Në seancën e sotme pritet të marrë pjesë edhe i akuzuari kryesor, Naim Murseli.