#Lajme

Osmani përkujton Xhemail Mustafën: Një nga zërat më të fortë të lirisë dhe pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Xhemail Mustafën në përvjetorin e vrasjes së tij, duke e vlerësuar si një nga zërat më të rëndësishëm intelektualë që mbrojti idealin e lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Osmani tha se Mustafa ishte një bashkëpunëtor i palëkundur i Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe një ndër figurat kyçe në artikulimin e mendimit politik që çoi drejt shtetësisë së Kosovës.

“Në këtë përvjetor kujtojmë me nderim Xhemail Mustafën, intelektualin që me penë, guxim e vizion mbrojti idealin e Kosovës së pavarur. Ai ishte një prej arkitektëve të mendimit politik që na çoi drejt shtetit që kemi sot”, shkroi Presidentja.

Ajo theksoi se plagët e së kaluarës nuk mbyllen pa drejtësi dhe kërkoi zbardhjen e plotë të vrasjes së tij, duke e cilësuar këtë si detyrim shtetëror.

“Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Xhemail Mustafës!”, përfundoi Osmani.