#Lajme

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së drejt përfundimit, mbrojtja: S’ka dëshmi për hierarki komanduese

Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – në Hagë po i afrohet mbylljes, pasi dëshmitarët e mbrojtjes kanë përfunduar paraqitjet.

Avokati Ardian Bajraktari tha për Ekonomia Online se dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë jashtëzakonisht kredibilë dhe se gjatë procesit nuk është provuar ekzistenca e një strukture të qartë komanduese të UÇK-së që do të mbështeste akuzën për përgjegjësi komanduese. Ai shtoi se dëshmitë janë shoqëruar me dokumente dhe raporte, duke përforcuar qëndrimin e mbrojtjes, si dhe duke theksuar kontributin e dokumenteve të deklasifikuara nga SHBA-të.

Trupi Gjykues ka caktuar afatin e 2 dhjetorit 2025 për përmbylljen e argumenteve të mbrojtjes, ndërsa dosjet përfundimtare dhe deklaratat për pasojat e krimeve pritet të dorëzohen deri më 19 janar 2026. Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar nga 9 deri më 13 shkurt 2026.

Dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit ishte gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili dëshmoi më 18 nëntor 2025. Para tij kanë dëshmuar disa zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë James Rubin, Paul Williams dhe Christopher Hill.

Procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa ndërkohë janë mbajtur protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg në mbështetje të tyre.