#Sport

Tifozët në Basel krijojnë atmosferë të veçantë pas paraqitjes së Granit Xhakës në një emision televiziv

Granit Xhaka, kapiteni i Kombëtares së Zvicrës dhe një prej futbollistëve më të njohur shqiptarë në arenën ndërkombëtare, ka tërhequr vëmendjen e qindra tifozëve në Basel gjatë pjesëmarrjes së tij në një emision televiziv.

Ylli i Sunderlandit ishte i ftuar special në “Wer ist der Profi Spieler?”, një “TV Show” sportiv ku pjesëmarrja e tij solli një interesim të madh nga publiku. Përkrahës të shumtë ishin mbledhur për ta ndjekur nga afër, pavarësisht kushteve të pafavorshme atmosferike që në momente vështirësuan xhirimet.

Sipas Indeksonline, Xhaka vazhdon të dëshmojë lidershipin që e karakterizon, duke respektuar gazetarët dhe çdo platformë sportive në të cilën merr pjesë. Edhe kësaj radhe, ai u paraqit thjesht dhe natyrshëm, pa e vënë në pah famën e tij, gjë që u vlerësua shumë nga tifozët e pranishëm.

Para nisjes drejt Kosovës, futbollisti zhvilloi këtë paraqitje televizive që u mbyll me sukses, teksa mbështetësit e tij treguan edhe një herë popullaritetin e madh që gëzon në Zvicër.