#Lajme

KQZ sot pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku në rend dite është paraparë certifikimi i disa rezultateve zgjedhore. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka bërë të ditur se komisioni do të votojë certifikimin e rezultateve për Kuvendet Komunale në ato komuna ku tashmë janë përfunduar të gjitha procedurat e ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe nga Gjykata Supreme.

“Sot pritet të shqyrtohen dhe të certifikohen rezultatet për Kuvendet Komunale në komunat ku procesi i ankesave ka përfunduar plotësisht”, ka deklaruar Elezi për RTKLive.

Në mbledhje do të jetë temë edhe certifikimi i raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të 18 komunave, të mbajtur më 9 nëntor.

“Po ashtu, KQZ-ja do të certifikojë rezultatet e raundit të dytë për 18 komunat ku është zhvilluar gara për kryetar”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, 20 komuna e mbyllën procesin në raundin e parë të votimit, ndërsa 18 komuna shkuan në balotazh më 9 nëntor.