Hoxhaj kritikon Memli Krasniqin: Garë e mbyllur, Konventa duhej shtyrë për një javë
Ish-kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas mbajtjes së Konventës së partisë, duke e cilësuar këtë ngjarje si tradicionalisht të rëndësishme për vendin, por jo të hapur sa duhet këtë herë. Ai ka kritikuar kryetarin në largim, Memli Krasniqin, duke thënë se e ka mbyllur garën pasi publikisht ka mbështetur kandidaturën e Bedri Hamzës.
Sipas Hoxhajt, Konventa do të ishte vërtet demokratike nëse do të shtyhej për një javë, duke i dhënë mundësi që në garë të merrnin pjesë më shumë kandidatë dhe të siguroheshin kushte të barabarta.
“Mes kohës dhe cilësisë duhet të zgjidhet cilësia. Kjo do të arrihej vetëm me një garë të hapur”, ka deklaruar ai, duke shtuar se në momente të tilla, vendimmarrësit duhet t’i drejtohen ndërgjegjes së tyre.
Hoxhaj ka bërë të ditur se nuk ka marrë pjesë në garë pikërisht për shkak se, siç thotë, nuk ka parë rrethana të barabarta për kandidatët.











