#Lajme

Kompania sllovene pranon përgjegjësinë për gabimin teknik në fletëvotimet e Mitrovicës, KQZ publikon sqarimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka marrë një sqarim zyrtar nga kompania sllovene CETIS lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

Sipas hetimit të kompanisë, problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, ndërsa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), prandaj gabimi nuk u zbulua gjatë shtypjes. CETIS ka marrë përgjegjësinë e plotë për incidentin, duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre.

Kompania shpreh keqardhje për gabimin dhe konfirmon se do të ofrojë mbështetje të plotë KQZ-së për hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve. Për këtë çështje, Komisioni ka njoftuar edhe Prokurorinë e Shtetit.