A është BE-ja gati për anëtarë të rinj?
Komisioni Evropian ka bërë të qartë në Raportin e Progresit të 4 nëntorit se zgjerimi i Bashkimit Evropian është kthyer në prioritet dhe synohet pranimi i anëtarëve të rinj deri në fund të mandatit aktual, në vitin 2029. Kandidatët kryesorë janë Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina.
Raporti thekson se zgjerimi po ecën më shpejt se në 15 vitet e fundit, ndikuar nga ndryshimet gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë. Sipas kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, “zgjerimi është domosdoshmëri për fuqinë e Evropës në skenën botërore”.
Mali i Zi shihet si më afër anëtarësimit, pasi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe synon përfundimin e tyre deri në vitin 2026, megjithëse viti 2028 shihet më realist. Shqipëria ka hapur 28 nga 33 kapitujt dhe pritet t’i përmbyllë negociatat më 2027, por BE-ja kërkon më shumë rezultate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkohë, Moldavia dhe Ukraina po ecin paralelisht drejt BE-së, por procesi i Kievit mbetet i bllokuar nga vetoja e Hungarisë. Moldavia mund të nisë negociatat më herët dhe synon anëtarësimin deri në vitin 2028.
Për të shmangur vështirësitë, BE-ja po shqyrton mekanizma të rinj për anëtarësim të përkohshëm dhe ndalimin e të drejtës së votës për shtetet që shkelin sundimin e ligjit. Në këtë kuadër, Shqipëria, Mali i Zi dhe Moldavia mund të jenë vendet e radhës që do t’i bashkohen Unionit.










