#Lajme

Katër policë të dyshuar për keqtrajtim në Podujevë – IPK rekomandon suspendimin e tyre

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se kanë keqtrajtuar dy qytetarë – njëri prej tyre i mitur – brenda stacionit policor në Podujevë.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se policët e përfshirë në rast janë E. L., G. M., B. S. dhe B. Sh.

Sipas njoftimit të IPK-së, informacionet e para për rastin janë pranuar nga vetë Policia e Kosovës, ku dyshohej se zyrtarët kishin tejkaluar autorizimet gjatë përdorimit të forcës. Nga hetimet fillestare rezulton se keqtrajtimi dyshohet të ketë ndodhur gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe brenda zyrave të stacionit policor.

Hetimet ndaj katër policëve po zhvillohen në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në procedurë të rregullt penale, për veprën “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.