#Lajme

Inflacioni në Kosovë: Çmimet e konsumit u rriten 5.1% në tetor

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) u rrit mesatarisht 5.1% në tetor 2025 krahasuar me tetorin e vitit 2024. Inflacioni mujor arriti 0.6%.

Rritje më të lartë të çmimeve shënuan pushimet e organizuara (23.7%), biletat e fluturimeve (21%), energjia elektrike (20.3%), pemët (15.3%), kafeja, çaji dhe kakao (13.1%), mirëmbajtja e pajisjeve të transportit (12.4%), mishi (12.3%) dhe shërbimet hoteliere (9%).

Nga ana tjetër, çmimet e karburanteve dhe lubrifikantëve ranë (-2.6%) si dhe blerja e automjeteve (-1.2%). Krahasimi mujor tregon rritje të çmimeve të lëndëve djegëse, energjisë elektrike, perimeve dhe duhanit, ndërsa biletat e fluturimeve dhe pemët shënuan rënie.

ASK thekson se inflacioni vazhdon të ushtrojë presion mbi çmimet e konsumit, sidomos tek energjia, ushqimi dhe shërbimet turistike.