#Lajme

Behrami denoncon manipulim të votave në Mitrovicë: Akuzon “tren qeveritar”

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka ngritur dyshime për manipulim të zgjedhjeve gjatë balotazhit të 9 nëntorit në Mitrovicë të Jugut, duke akuzuar pushtetin qendror për përdorimin e një skeme që ai e quan “tren qeveritar”.

Përmes një postimi në Facebook, Behrami pretendon se në vendvotimet e mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt, që sipas tij tregojnë për trafikim të fletëvotimeve dhe një skemë të organizuar nga qeveria. Ai thekson se ky proces nuk është një fenomen individual, por një fabrikim shtetëror.

“Pra nuk bëhet fjalë për tren bullgar, por për një tren qeveritar të organizuar nga institucionet shtetërore. Janë gjetur fletëvotime të njërës klasë edhe në tjetren, një shenjë e qartë e trafikimit të votave”, shkruan Behrami.

Ai ka bërë thirrje që vëzhguesit ndërkombëtarë, organizatat joqeveritare dhe mediat të monitorojnë procesin e numërimit në QNR në Mitrovicë, duke e cilësuar fenomenin si “të frikshëm dhe masiv”.

“Masiviteti i këtij fenomeni tregon se nuk bëhet fjalë për individë, por për një sistem të organizuar nga institucionet e okupuara. Krimi zgjedhor në Mitrovicë do të ekspozohet i plotë”, ka shtuar Behrami.