#Lajme

Krasniqi: Arian Tahiri i vetëm përballë aparatit shtetëror, zhvilloi një garë dinjitoze në Mitrovicë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohje për kandidatin e PDK-së në Mitrovicën e Jugut, Arian Tahirin, pas përfundimit të balotazhit, ku ai u mposht nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.

Krasniqi tha se Tahiri, “i vetëm përballë aparatit shtetëror”, zhvilloi një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund, duke e cilësuar atë si “yllin e kësaj fushate”. Ai falënderoi gjithashtu aktivistët, vullnetarët dhe qytetarët për angazhimin dhe pjesëmarrjen demokratike në procesin zgjedhor.

Në reagimin e tij, kryetari i PDK-së theksoi se ky rezultat nuk shënon fundin, por fillimin e një kapitulli të ri për partinë. “Do të përqendrohemi në forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, përmirësimin e qeverisjes lokale dhe konsolidimin e strukturave anembanë vendit. PDK nuk ndalet, sepse është e qytetarëve dhe e Kosovës”, deklaroi ai.