#Lajme

Sveçla inspekton zonën veriore pas dyshimeve për rrëmbimin e një shtetasi serb të Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka inspektuar pjesën veriore të kufirit shtetëror, ku dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer shtetasi serb i Kosovës, Milan Vukashinoviq.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka njoftuar se institucionet e Kosovës tashmë kanë siguruar informacione dhe dëshmi që tregojnë se Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë, për shkak të qëndrimeve të tij kundër Listës Serbe.

Sipas tij, Serbia po e dëshmon përditë e më shumë karakterin e saj agresiv dhe antidemokratik, pasi Vukashinoviq ende nuk ka marrë mbrojtjen ligjore që garantohet edhe në shtetet më autoritare.

Ministri ka shtuar se institucionet e Kosovës janë duke zhvilluar hetime për të zbardhur plotësisht rastin.