#Lajme

Punëtorët e RTK-së protestojnë sot për vonesën e pagave

Punonjësit e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) do të zhvillojnë sot një protestë për shkak të vonesave në pagesën e pagave. Protesta pritet të mbahet në orën 11:00, para hyrjes së objektit të RTK-së, raporton IndeksOnline.

Sipas Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), arsyeja kryesore e vonesës së pagave është pamundësia e votimit të buxhetit të institucionit publik. Sindikata ka bërë thirrje për pjesëmarrje dhe solidaritet nga të gjithë punëtorët.

“Kjo është hera e dytë brenda tre muajve që punëtorët e transmetuesit publik mbesin pa paga, duke u përballur me pasiguri ekonomike dhe duke rrezikuar funksionimin normal të institucionit,” thuhet në deklaratën e SPERTK-së.

Në reagim theksohet gjithashtu se RTK-ja po përballet me një krizë financiare që mund të ndikojë në realizimin e projekteve të rëndësishme dhe në ruajtjen e rolit të saj si medium publik i pavarur dhe gjithëpërfshirës.