Akreditohen mbi 8 mijë vëzhgues për balotazhin e 9 nëntorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar disa vendime në kuadër të përgatitjeve për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që do të mbahet më 9 nëntor.
Në mbledhje, një nga çështjet kryesore ishte procesi i akreditimit të vëzhguesve nga partitë politike, organizatat vendore e ndërkombëtare dhe mediat, të cilët do ta monitorojnë rrjedhën e procesit zgjedhor.
KQZ-ja ka miratuar akreditimin e 8,049 vëzhguesve nga shtatë partitë e certifikuara që marrin pjesë në balotazh. Gjithashtu, është miratuar akreditimi i vëzhguesve nga organizatat joqeveritare dhe përfaqësitë diplomatike, të cilët do të kenë mandat për të monitoruar procesin gjatë ditës së zgjedhjeve.
Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ngriti shqetësimin për vonesat e fletëvotimeve të raportuara nga qytetarët e Kosovës që jetojnë në vendet skandinave, kryesisht në Norvegji.
“Ka shumë persona, sidomos në Norvegji, që nuk e kanë marrë postën me kohë. Dua ta ngrit si çështje, sepse është shqetësim i disa qytetarëve që ende nuk u ka arritur zarfi me fletëvotim. Afati është deri nesër apo pasnesër dhe nuk kanë mundur të votojnë. A ekziston mundësia që të shtyhet ky afat?” tha Kurteshi.
Në lidhje me këtë çështje, anëtari tjetër i KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi, u bashkua me shqetësimin, duke kërkuar një raport të detajuar për situatën dhe mundësinë e shtyrjes së afatit për pranimin e fletëvotimeve në rastet kur ka pasur vonesa të postës.









