#Lajme

Presidentja Osmani mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së re

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, për formimin e qeverisë së re. Vendimi u bë publik në një konferencë për media, ku Osmani tha se veprimi është në përputhje me aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe me nenin 95, paragrafi 4 të Kushtetutës.

Ajo sqaroi se pas dështimit të tentimit të parë për formimin e qeverisë, ka zhvilluar konsultime me partitë politike, por vetëm Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, ka paraqitur kandidaturën e saj – duke propozuar Glauk Konjufcën për mandatar.

“Sipas Kushtetutës, presidentja duhet të emërojë kandidatin e dytë nëse i pari dështon. Kjo është një detyrë e përcaktuar qartë, jo një mundësi,” tha Osmani.

Ndërkohë, Konjufca ka deklaruar se synon bashkëpunim me partitë shqiptare në Kuvend, por pa hyrë në koalicione, duke theksuar se formimi i një qeverie të re do të shmangte zgjedhjet e dyfishta, pasi në prill të vitit të ardhshëm vendi pritet të zgjedhë presidentin e ri.