#Lajme

Anulohet seanca ndaj ish-ministrave Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është anuluar seanca e paraparë të mbahej të martën ndaj ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Seanca u anulua për shkak të një rasti vdekjeje në familjen e gjyqtarit Arben Hoti, anëtar i trupit gjykues.

Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në seancën e parë më 27 nëntor 2024, ndërsa aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.

Sipas aktakuzës, Krasniqi akuzohet për tejkalim kompetencash në miratimin e Udhëzimit Administrativ për cilësinë e karburanteve, që dyshohet të ketë shkaktuar dëm publik prej mbi 11 milionë eurosh, ndërsa Shala akuzohet se i ka mundësuar kompanisë “Euro Inspekt”, në pronësi të një familjari, përfitim prej 732 mijë eurosh.

Prokuroria kërkon që përveç dënimit, ndaj tyre të shqiptohet edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike.