Aksident me fatalitet në rrugën Pejë-Prishtinë, humb jetën një këmbësor
Aksident me fatalitet në Vragoli, humb jetën një këmbësor
Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 17:35 në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në fshatin Vragoli.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se sipas informatave fillestare, një këmbësor është goditur nga një motor, si pasojë e së cilës personi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 17:35, në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë, në Vragoli është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet. Sipas informatave fillestare, dyshohet se një këmbësor është goditur nga një motor. Në vendin e ngjarjes mjeku ka konstatuar vdekjen e një personi. Është njoftuar prokurori dhe mjekësia ligjore, ndërsa hetimet janë duke u kryer nga Policia për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ky aksident tragjik”, ka deklaruar Hoxha.
Policia ka apeluar për kujdes të shtuar në trafik, respektim të rregullave dhe përshtatje të shpejtësisë, veçanërisht gjatë kushteve atmosferike me reshje dhe dukshmëri të kufizuar.








