#Kosova #Kronika e zezë #Lajme

Policia godet rrjetin e falsifikimit të pronave shtetërore, arrestohet një person

Policia e Kosovës ka zbuluar një rast të dyshuar kriminal që lidhet me falsifikimin e dokumenteve të pronave shtetërore, pas hetimeve intensive disa mujore.

Sipas njoftimit të Policisë, Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën autorizimin e Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dokumentuar veprimtari kriminale të dyshuara që lidhen me falsifikimin e dokumenteve të pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Dokumentet e falsifikuara janë përdorur për tjetërsimin e pronave shtetërore në pronësi private dhe më pas janë shitur, duke përfituar shuma të mëdha financiare.

Në zbatim të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2025, Policia ka kryer kontrolle në dy rajone të vendit, duke bastisur një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrjen e të dyshuarit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar dokumente që lidhen me rastin (kontrata shitblerjeje, regjistra të parcelave, dosje pronash në gjuhën serbe, dokumente të paplotësuara të ish-RFJ-së), pajisje për falsifikim (pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje “Paper Trimmer”), një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë, një telefon iPhone 17 Pro, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.

Ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale: falsifikim i dokumenteve, legalizim i përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe është dërguar në ndalim policor për 48 orë me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet e drejtësisë mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Policia godet rrjetin e falsifikimit të pronave shtetërore, arrestohet një person

Pjesëtari i policisë serbe arrestohet në Jarinjë

Tre të dyshuar për grabitjen në Luvër