#Lajme

Arrestohen tre persona për 1 ton marihuanë në Sverkë të Pejës – vazhdim i operacionit “Vera 2024”

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, ka zhvilluar sot në orët e para të mëngjesit një aksion të gjerë, që ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ky operacion është pjesë e hetimeve të nisura në kuadër të rastit të koduar “Vera 2024”, përmes të cilit vitin e kaluar u sekuestruan rreth 3,000 bimë narkotike dhe rreth 1 ton marihuanë në fshatin Sverkë të komunës së Pejës.

Arrestimet e sotme janë kryer nga Njësiti Special Intervenus në rajonet e Pejës dhe Gjakovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Gjatë aksionit janë sekuestruar gjithashtu dy automjete, tre telefona mobil dhe shuma të caktuara parash.

Prokuroria ka njoftuar se lidhur me këtë rast, më herët, në Republikën e Shqipërisë janë arrestuar edhe tetë persona të tjerë, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, duke e bërë këtë një nga rastet më të mëdha të bashkëpunimit ndërkufitar kundër narkotikëve.