Zbulohet furgoni me armatim në qendër të Tiranës, sekuestruar arsenal armësh dhe pajisje policie
Një operacion policor i koduar “The Van” ka çuar në zbulimin e një sasie të madhe armatimi në një zonë shumë pranë qendrës së Tiranës. Furgoni i dyshimtë u ndalua në rrugën “Myslym Shyri”, ku brenda tij policia gjeti armë, municione dhe pajisje të shumta të ndaluara.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan 23 armë zjarri, mes tyre 5 snajperë, 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, 15 mijë fishekë, 12 celularë, si dhe pajisje për shpërthime në distancë, bllokim valësh, gjurmim elektronik (GPS) dhe numërim kartëmonedhash. Po ashtu, në furgon u gjetën 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit dhe 17 kuti me pranga.
Nga veprimet e para hetimore, policia ka arrestuar 34-vjeçarin Eugert Sina, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim për përfshirje në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme nën dyshimet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Sipas burimeve hetimore, sasia e armatimit të sekuestruar “ishte e mjaftueshme për të armatosur një njësi të tërë ushtarake”.










